Tuesday, September 1, 2009

Gilman Lika - 2 GOLA - ( TUR-2 23.08.2009: Boluspor - Mersin Idman Yurdu 2-1 )



Gilman Lika bën heroin, dy gola në debutim

Dy gola në debutimin e tij me Bolusporin dhe Gilman Lika tashmë është në "qiellin e shtatë". Nuk ka ku të shkojë më mirë për mesfushorin e Kombëtares, i cili i dha fitoren ekipit turk, në ndeshjen kundër Mersinsporit, e vlefshme për javën e parë të kampionatit të Kategorisë së Dytë. Në stadiumin "Bolu Ataturk", 22-vjeçari ka ngritur peshë mijëra tifozë të Bolusporit, duke arritur të shënojë fillimisht në minutën e 25-të dhe më pas, në pjesën e dytë, me anë të 11-metërshit dyfishoi rezultatin, që u mbyll 2-1. "Ishte një goditje e lirë nga rreth 25-metra dhe gjuajta me të majtën, tokazi. Topi shkoi direkt në rrjetë, në cep të shtyllës", - tregon fillimisht shkodrani, në një bisedë ekskluzive për "Panorama Sport". I mahnitur nga ky debutim, mesfushori nuk di si ta përshkruajë atë që ka përjetuar gjatë ndeshjes. "As që nuk e kisha menduar se mund të shkonte kështu. Ishte një mrekulli dhe sinqerisht m'u duk si në ëndërr. Natyrisht, ishte ndeshja ime e parë dhe duhet të bëja të pamundurën për një paraqitje sa më të mirë. Së pari, rëndësi do të kishte fitorja, por edhe dy gola në këtë debutim, më kanë lumturuar. Fillimi është gjithnjë shumë i rëndësishëm dhe tani të them të drejtën, ndihem shumë mirë këtu te Boluspor. Nuk ka rëndësi fare kategoria, sepse ekipi ka synime për t'u ngjitur në Superligë dhe besoj që do t'ia arrijmë", - ka thënë mesfushori. Pas ndeshjes, Lika është gjendur i rrethuar nga shumë njerëz. Për këtë, lojtari tregon: "Së pari, tifozët më kanë respektuar shumë dhe jam emocionuar së tepërmi. Duke qenë se e nisëm mbarë kampionatin, edhe presidenti na erdhi në dhomat e zhveshjes, duke na përqafuar të gjithëve. Ambienti ishte fantastik dhe tifozët këtu, sikur më nxjerrin mallin e Shkodrës. Nuk e zmadhoj këtë që po them, por është vërtetë kështu. E kanë futbollin se jetojnë të gjithë me të. Nuk di si ta përshkruaj atmosferën që bëhet këtu."

No comments: