Monday, September 21, 2009

Erjon Bogdani - GOL - ( ITA-1 20.09.2009: Chievo 3 - 1 Genoa )




Bogdani fiton penallti dhe shënon gol me Kievon


Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka shënuar golin e dytë në fitoren 3-1 të Kievos ndaj Xhenovës
Bogdani: Me Suedinë, pse jo edhe për tri pikë

Kievo ka fituar 3-1 të dielën, në ndeshjen e radhës të Seria A, luajtur në Verona ndaj Genoas. Ka qenë pikërisht kjo sfidë, që ka rregjistruar edhe paraqitjen e shkëlqyer të sulmuesit shqiptar, Erjon Bogdani. Shtatlarti kuqezi ka fituar një penallti, të kthyer në gol nga Marcolini, ndërkohë që në minutën e 6-të të lojës ka shënuar golin e tij të parë për këtë sezon në radhët e Kievos. Bogdani luajti si titular deri në minutën e 63-të, kur u zëvendësua nga Granoche. Bogdani realizoi kështu golin e tij të 58-të në Itali dhe të shtatin me Kievon, në tri sezonet që ka luajtur me skuadrën veroneze.

Nuk kanë qenë aspak të rastësishëm golat që ka shënuar në tri ndeshje radhazi me kombëtaren kuqezi. Erjon Bogdani po kalon një formë të shkëlqyer edhe me klubin e tij, Kievo, ku është aktivizuar në të gjitha takimet titullar, ndonëse në minutat e fundit është zëvendësuar nga trajneri Di Karlo. Sigurisht, një kampionat i fortë si ky i Serisë A është shumë i vështirë për t’u përballuar, ndaj rotacioni është i dosmosdoshëm. Bogdani edhe një herë ka bërë të ditur në një intervistë telefonike nga Italia se ka dhënë gjithmonë maksimumin në klubet ku ka luajtur dhe në kombëtare, por është besimi që ia kanë dhënë trajnerët ai që ka ndikuar në paraqitjet e tij.

- Erjon, keni shënuar golin e parë këtë sezon në Serinë A, në një moment kur në kombëtare keni shënuar në tri ndeshje radhazi…?

- Po kaloj një moment shumë të mirë si me Kievon dhe kombëtaren dhe kjo më shumë falë besimit që më kanë dhënë të dy trajnerët, Di Karlo te Kievo dhe Josip Kuzhe në kombëtare. Edhe fizikisht ndihem shumë mirë, por siç e thashë më lart, suksesi që kam arritur personalisht ka ardhur si rrjedhojë e mbështetjes që kam pasur te Kievo dhe në kombëtare. Sa për golin, kjo është meritë e gjithë skuadrës, pasi i vetëm në një kampionat kaq të fortë siç është Seria A nuk mund të bësh asgjë. Me kombëtaren kam shënuar rregullisht, sepse e gjithë skuadra luan për mua, ndërsa te Kievo unë vihem më shumë në shërbim të skuadrës.

- Keni mundur një kundërshtar shumë të fortë, Xhenovën dhe vini pas fitores në transfertë me Bolonjën, pra dy fitore radhazi…?

- Me Xhenovën ishte vërtet ndeshje shumë e vështirë. Edhe trajneri Di Karlo na pat paralajmëruar para ndeshjes, por gjithçka shkoi mirë dhe ne fituam tri pikë shumë të rëndësishme.

- Jeni aktivizuar në të gjitha ndeshjet titullar, por jeni zëvendësuar në pjesën e dytë…?

- Momentalisht ndihem në formë shumë të mirë fizike, por në një kampionat kaq të fortë është e vështirë të japësh më të mirën gjithë ndeshjen. Me Xhenovën, në fakt, trajneri Di Karlo nuk donte të më ndërrontë, por këtë ia kërkova unë.

- Shorti nuk ju ka favorizuar në dy ndeshjet e para me Juventusin dhe Lacion…?

- Në fakt, në këto dy ndeshje kemi luajtur shumë mirë, meritonim të merrnim pikë, por fatkeqësisht kishim përballë dy skuadra shumë të forta. Fakti që po luajmë shumë mirë dhe po marrim fitore në ndeshjet në vazhdim, tregon që jemi në rrugën e duhur.

- Me këtë ecuri rezultatesh, mund të ndryshojnë objektivat e Kievos në kampionat?

- Është herët për të folur për objektiva të tjerë, përveç mbijetesës. Në fillim duhet të mendojmë vetëm për të qëndruar në Serinë A, më pas, në bazë të rezultateve, të shikojmë çfarë mund të arrijmë.

- Mendoni se do të arrini të shënoni më shumë se 10 gola me Kievon dhe kombëtaren këtë sezon?

- Unë nuk mendoj se sa gola do të shënoj, por në arritjen e objektivave. Te Kievo jemi i njëjti grup i sezonit të kaluar, njihemi shumë mirë me njëri-tjetrin, çka duket qartë edhe në lojërat e mira që po zhvillojmë. Arritjet në aspektin personal kalojnë në plan të dytë para interesave të klubit.

- Dalim te ndeshja e fundit në grup me Suedinë. Besoni se Shqipëria mund ta arrijë qoftë një pikë?

- Unë do të thosha, pse jo, edhe fitoren. Sepse ndeshjet e fundit kemi luajtur shumë mirë dhe kemi arritur rezultate po kaq të mira. Besoj edhe tifozët janë kënaqur kur jemi përballur me Portugalinë, Qipron dhe në fund me Danimarkën. Ne i kemi marrë pikë skuadrave më të forta në grup, kështu që s’kemi pse të tregohemi inferiorë në ndeshjen e fundit me Suedinë, ku kombëtarja shqiptare s’ka çfarë të humbasë.

No comments: